Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO ka marrë sot vendimin për mohimin e kërkesës së Ramazan Rrajës për tu liruar.
Ramazan Rraja është autori i dyshuar për atentatin kundër ish-prokurorit, Arjan Ndoja. Atentati ndaj ish-prokurorit u regjistrua në 1 nëntor të vitit 2019 në zonën e Sukthit ndërsa arrestimi i Rrajës u bë i mundur në 19 prill të këtij viti ku u kap në Fushë-Krujë.
SPAK pretendon se Ramazan Rraja, kushëriri i tij Redjan Rraja dhe persona të tjerë në qytetin e Durrësit, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në atentat ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe të plagosur rëndë Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.