Paraditen e sotme Kuvendi i Shqipërisë me 117 vota pro dhe 3 abstenim miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që i hap rrugën arrestimit dhe kontrollit të banesës së ish-zv/ kryeministrit Arben Ahmetaj.
Gjatë seancës së posaçme ku u lexuan dhe raportet e Komisionit të Mandateve, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ftoi SPAK që t’i shkonte deri në fund hetimit për çështjen e inceneratorëve, teksa ftoi Ahmetajn të bashkëpunojë me drejtësinë.
Ndërkohë nga ana e mazhorancës, foli deputeti Arben Pëllumbi, i cili i kërkoi opozitës të ndalë akuzat dhe të lejojë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe shtoi se emri i kryeministrit, ndryshe nga sa pretendon opozita, nuk rezulton në asnjë fjalë të kërkesës së SPAK.
Kryeministri ishte në seancë, por nuk foli. Sapo iu drejtua Berisha u largua. Më pas u rikthye dhe diçka po sqaronte me Elisa Spiropalin. Në sallë ishte edhe Lulzim Basha, i ulur mes Tabakut dhe Bardhit.