Analisti amerikan, Daniel Serwer në një intervistë dhënë për RTK-në në lajmet e fundit, e konsideron si pasqyrë të keqe dhunën e djeshme në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se ajo që ka ndodhur të enjten e dëmton tempullin e demokracisë në Kosovë.
“Ka ndodhur shpesh në shumë demokraci, madje ka ndodhur edhe në Shtetet e Bashkuara para 50 vitesh, por nuk pasqyron mirë. Vetëm e dëmton Kosovën dhe shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Serwer. Analisti amerikan, që është njohës i mirë i politikave në Ballkan është deklaruar edhe për çështjen e veriut dhe de-eskalimin e situatës atje, njofton RTK.
“Pikëvështrimi im është se de-eskalimi është shumë i rëndësishëm të bëhet, por duhet të bëhet nga të gjitha palët dhe çfarë po kërkon BE është shumë e njëanshme dhe më duket që ka kërkesa që duhet bërë edhe ndaj Serbisë gjithashtu”, tha ai.
Në pyetjen se a ka rrethana të mbahen zgjedhjet në veri, Serwer tha se nuk do të kishte fare kuptim mbajtja e zgjedhjeve nëse serbët përsëri i bojkotojnë ato. “…Duhet të jemi të sinqertë, serbët e Kosovës janë nën kontrollin e Beogradit. Pra, duhet bërë kërkesë edhe nga Beogradi që të zotohet që të inkurajojnë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje. Unë nuk e kam parë ende këtë duke ndodhur”, tha ai.
Analisti amerikan foli edhe për raportet ndërmjet Kosovës e BE-së, për të cilat ai tha se janë të këqija. “Por, është më se e qartë se Kosova duhet t’i përmirësojë marrëdhëniet e veta me Uashingtonin dhe Brukselin dhe i kisha inkurajuar autoritetet në Kosovë që të jenë të vëmendshme ndaj kësaj nevoje. Kosova është vend i vogël, që ka fqinjë armiqësorë dhe ka nevojë për miq”, tha Serwer.