Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sulmi fizik që ndodhi të enjten në Kuvend mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, atyre të pozitës dhe ministrave, ka qenë i përgatitur.
Kreu i ekzekutivit ka shtuar se ka xhirime dhe shumë dëshmitarë që do ta tregojnë vërtetën e asaj situate.
“Aty kishim maksimumin e xhirimeve dhe kishim shumë dëshmitarë të cilët do ta tregojnë të vërtetën e asaj situate në të cilën qartazi nuk bëhej fjalë për provokim e kundër provokim por bëhej fjalë për një sulm të përgatitur meqenëse shpejtësia me të cilën ia mësynë prej ulëseve të tyre disa deputetë dhe në drejtim të ulëseve të kolegëve të mi nga Qeveria derisa unë mbaja fjalim, tregon qartazi se nuk kishte asgjë spontane aty”, ka thënë Kurti.