Mediat ukrainase dhe ruse flasim për shpërthim në urën e Krimesë, ku deri tani raportohet për dy të vdekur. Sipas agjencisë Rbc Ukraine dhe kanalit pro-rus Gray Zone, shpërthimet ndodhën në orën 3:04 dhe 3:20 me orën lokale.
Ndërkohë qarkullimi në urën e Krimesë është ndërprerë, njoftuan autoritetet ruse gjatë natës pa specifikuar natyrën e aksidentit.
“Qarkullimi është ndërprerë në Urën e Krimesë: një emergjencë ka ndodhur në zonën e mbështetjes 145 nga rajoni Krasnodar; agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të gjitha shërbimet përgjegjëse janë në punë,” shkroi udhëheqësi rajonal Sergey Aksyonov në Telegramin e tij, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sakaq autoritete turke shpresojnë se marrëveshja e grurit që skadon sot mund të zgjatet. Këtë e ka bërë të ditur sot nënpresidenti turk Cevdet Yilmaz, shkruan agjencia ruse e lajmeve Tass.
“Ne vazhdojmë përpjekjet për të zgjatur marrëveshjen. Vizita e planifikuar e presidentit rus Putin në Turqi mund të konsiderohet pozitive në këtë kuptim, shpresoj se do të ketë rezultate pozitive,” shtoi ai në një intervistë për kanalin televiziv A-Haber.