Finalizohet nga Komisariati i Policisë Krujë, faza e 28-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”.
Gjatë kësaj faze u asgjësuan nëpërmjet djegies 875 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në terren malor, në një fshat të Krujës.
Më parë, si rezultat i fazave të tjera të këtij operacioni, janë asgjësuar 14 965 bimë narkotike kanabis.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë vijuar kontrollet në zonat malore të Krujës, duke përdorur dhe dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Nga këto kontrolle, gjatë fazës së 28-të të megaoperacionit “Territor i pastër”, në fshatin Cudhi Kamp, në Krujë, u gjetën të kultivuara 875 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies”, thotë policia.
Nderkohe strukturat hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.









