Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq Erjon Buçukun, ish-drejtor në bashkinë e Tiranës, i akuzuar për korrupsion. Konkretisht ai ka qenë me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë Tiranë.
Nga hetimi, sipas SPAK-ut është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri Erjon Buçuku, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 100.000 lekë, për të punësuar Geraldi Bregun, si roje të shkollës 9 vjeçare “Ardian Klosi”, Tiranë, si dhe i ka kërkuar përfitim të parregullt 150.000 lekë, për të punësuar të fejuarën e tij si sanitare në shkollën “Mihal Grameno” Tiranë, por Geraldi Bregu nuk ia ka dhënë këtë vlerë monetare.