James O’Brien, diplomati me përvojë që është emëruar për postin e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë paralajmëroi të mërkurën se pasojat e vuajtjeve që po shkakton Rusia në Ukrainë do të ndjehen për breza me radhë, por siguroi se SHBA dhe Perëndimi kanë modele që mund të ndjekin për rimëkëmbjen e saj.
“Po flasim për dhimbjen njerëzore që do të vazhdojë për dekada. Ajo që ka shkaktuar Rusia në Ukrainë do të mbetet me ne për breza të tërë. E njëjta gjë vlen për njerëzit që u kanë mbijetuar pasojave të konflikteve nga Ballkani Perëndimor në vitet 1990, ku unë i shërbeva vendit me krenari, e deri në Kaukazet jugore”, tha zoti O’Brien.
Zoti O’Brian po fliste në një seancë me pyetje-përgjigje të Komisionit të Senatit të Marrëdhënieve me Jashtë i cili do të vendosë për marrjen e detyrës nga ana e tij, para se të votojë i gjithë Senati.
Zoti O’Brien, i cili ka qenë i dërguar presidencial për Ballkanin në vitet ’90 gjatë konflikteve në rajon, përmendi koston njerëzore në luftra si ajo që filloi Rusia ndaj Ukrainës, por shtoi se ka mënyra se si mund të realizohet rimëkëmbja.
“Ne kemi modele se si mund të integrojmë ekonomi si ajo e Ukrainës në ekonomi më të pasura dhe të mbështesim njerëzit e atij rajoni. E njëjta gjë është e mundur për njerëzit e Kaukazeve Jugore përreth Detit të Zi e deri në Ballkanin Perëndimor, nëse veprojmë siç duhet në një ose dy vitet e ardhshme”, tha ai para Komisionit./VOA
Artikulli i plotë këtu.