Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku dhe kryetari i PL-së Ilir Meta përmes një postimi në në Facebook kanë komentuar raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë në lidhje me investimet në vend ku është theksuar korrupsioni si një ndër problematikat kryesore.
Tabaku u shpreh Shqipëria ka përjetuar një rritje të numrit të investitorëve nga SHBA, por raporti i Departamentit të Shtetit vërteton se klima e biznesit dhe mikpritja e biznesit janë ende të vështira për shkak të problematikave të pazgjidhura për më shumë se një dekadë ku listoi disa fakte në lidhje me situatën në vend.
“Fakt: Sipërmarrjet në vend hasin në një sistem të korruptuar që promovon monopole dhe oligarki, duke bërë këtë vend pak tërheqës për investitorët e huaj.
Fakt: Ligji Investimeve Strategjike favorizon vetëm një grup të vogël biznesesh lokale dhe jo investitorët e huaj,” shkruan Tabaku.
Ndërsa Meta në reagimin e tij u shpreh se ky raport është një tjetër rekord i zi i Qeverisë me pasoja të rënda dhe afatgjata për ekonominë.
“Vendimet arbitrare, politikat fiskale jo transparente dhe klienteliste që cënojnë konkurrencën dhe sipërmarrjen e lirë, prokurimet, koncensionet dhe PPP-të abuzive, megaafera e inceneratorëve që nuk ndalet, fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda e lartë, evazioni fiskal, si dhe zhvlerësimi dramatik dhe i qëllimshëm i Euro-s sigurisht që do të sillnin këtë klimë mbytëse për investitorët e brendshëm dhe të huaj.
Konkluzionet janë një këmbanë e fortë alarmi për rrezikun e falimentimit të Shqipërisë dhe nevojës jetike të kthimit të ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm,” shkruan Meta.