Lulzim Basha është, pa dyshim, krijesa e ngritur nga vetë drejtuesi i Foltores, Berisha. Asnjë tjetër, si ai, nuk është gjetur, nuk është marrë për dore, nuk është vendosur në postet më të larta të shtetit dhe bërë drejtues i opozitës, si është bërë Basha.
Me të, në vite të ndryshme, Berisha ka lidhur epoka të ndryshme dhe histori suksesi apo dështimi. Ai ishte alter egoja e tij, mburrja, si është tani mallkimi, zemërimi dhe linçimi.
Për askënd tjetër, në vite të ndryshme, që kanë qenë pranë dhe pastaj janë nëmur, nuk ka pasur kaq shumë vrer, ndalim të përjetshëm për të qenë përsëri pjesë e opozitës dhe përjashtim të përjetshëm.
Dy burra, që në dukje i lidhi një njeri i vetëm, bija kryeministrore, tani e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor, dukeshin dhe ishin familja politike e lidhur aq ngushtë sa edhe familja biologjike. Tani janë përballë njëri tjetrit, dhe, që të dy, përmes një farse zgjedhore, drejtojnë dy pjesë të njëjtit trung politik, që ishte dikur Partia Demokratike.
Në rrugëtimin e tyre të përbashkët, 8 vite në pushtet dhe po aq vite në opozitë, ata mbeten dyshja që linçoi këdo, deri edhe pasues besnikë si ishte Sokol Olldashi, larguan themelues dhe figura të njohura, deri sa krijuan një detashment të ri politik, që menduan se ishte besnikë ndaj tyre, të bindur, kokë ulur, pa ide dhe me ambicie të mëdha për të qenë pjesë e pushtetit.
Gjysma e atyre që u ngritën kanë mbetur në Foltore, një pjesë kaluan në rezervat e paditura se ku do të shkojnë, pjesa e mbetur ishin në farsën e radhës të zgjedhjeve të fundit, ku Basha, u rikthye, kur të gjithë e mendonin të harruar, si drejtues i PD-së së vulës, zyrave të braktisura dhe të fshehtave që ka nga bashkëqeverisja dhe bashkë drejtimi i opozitës.
Ata kanë të përbashkëtat dhe të veçantat e tyre. Aq sa duken të largët, aq janë të njëjtë; aq sa mendohet se prej tyre, veç e veç apo së bashku, mund të vijnë në pushtet, po aq i largët është pushteti. Të dy të trembur, por shakatarë me të ardhmen e opozitës. Dëshmi se si një opozitë fillon luftën brenda vetes, shumë më ashpër sa ndaj pushtetit; krijesa që nga nxitimi lindin ide të verbër dhe humbin rrugën nga synimi i pushtetit.
Me Bashën si lider, (në fakt ai nuk u bë kurrë i tillë dhe nuk ka as shtatin, as vizionin dhe as karakterin për të qenë i tillë) opozita e di se pushteti është i largët, tejet i largët dhe i pamundur. Në opozitë Basha mund të pasurohet më tej, por nuk mund të jetë lideri i ideve të reja, i masivizimit apo i ndërtimit të një strategjie ndryshe.
Koha kur ai mund të bëhej i tillë ka shkuar, i rritur nën pushtetin dhe hijen e njeriut dominues , që e bëri drejtues, por jo lider, ai ndjehet si njeriu i rrahur në politikë, që nuk mund të bëhet kurrë i pavarur.
Basha e do pushtetin për të qenë njeriu i llastuar i politikës, i pasur dhe si mburojë për zullumet që lidhen me emrin e tij. Ai ka drojën se mos një ditë mund të hapen dosjet e kohës kur ka drejtuar ministri të ndryshme, ku aktet e korrupsionit janë të mëdha, të mbyllura në kohën e regjimit të Berishës, nga vetë shefi i tij.
Po aq, ka shpresën se përmes një aleance të re, si ajo e vitit 2017, të jetë pjesë e një qeverie të gjerë. Joshja me pushtetin është dobësia e tij dhe ai e merr si të vërtetë.
Basha është i rrezikshëm për Shqipërinë se, mbi të gjitha nuk e do atë, dhe është i gatshëm të bëjë gjithfarë marrëzish politike për të qenë pjesëtar në përfitimin e begative të saj. I pabesueshëm brenda, i besuar jashtë, balanca e tij është gjithnjë drejt krijimit të një poli të tretë, rol që e kishte dikur Ilir Meta, të bëhet i domosdoshmi i pushtetit, pa pasur asnjë vizion të së djathtës.
Me Berishën si drejtues i opozitës pushteti mund të duket i kapshëm, por është po aq i largët. Nëse ai ka besimin e brendshëm të shumicës së opozitës, nuk është i besuar i faktorit të jashtëm, që, prej më shumë se dy viteve e kanë lënë në bojkot.
Nëse deri tani ai ka pasur përballë vetes shumicën qeverisëse të së majtës, e lidhur edhe ajo pas një emri, Edi Ramës, një qeveri të lodhur nga gërryerja brenda vetes dhe autokracia e pushtetit, e kthyer në absolutizëm, tani ai ka edhe struktura vendosëse në politikën ndërkombëtare, si Departamenti Amerikan i Shtetit.
Berisha më shumë se për vete, e do pushtetin për familjen e tij. Jo më familjen e tij politike, por atë biologjike, e gjitha e sanksionuar si e pa dëshiruar, e cilësuar si thellësisht e korruptuar, me shumë ngjarje dhe bëma pas vetes, ku, vetëm njëra prej tyre, ajo e Gërdecit mund të dërgojnë pas hekurave gjysmën e familjes dhe të varfërojë pjesën e mbetur.
Berisha e nisi Rithemelimin e tij duke ushqyer idenë e njeriut që kërkon transformim, jo pushtet; si lideri që do të vërë dorë në ringritjen e partisë, por jo si drejtues ekzekutiv i shtetit, për të shkuar drejt këtij synimit, çka është në të vërtetë akti i sinqertë i bindjes së tij: pushteti të zhduk mëkatet dhe të amniston nga krimi.
As njëri e as tjetri nuk të frymëzon. Nuk të frymëzon si dikur as Berisha, dhe nuk të frymëzon, si ka ndodhur përherë, as Basha. Berisha ka luftën e tij – pushtetin e sotëm. Për të qenë një ditë pushteti i nesërm. Është alibia e fundit e jetës së tij politike, por edhe biologjike. Nuk ka kohë për alibi të tjera.
Për njerëzit e tij ai është i vetmi që i qëndron lukunisë pushtetore të shumicës së tanishme; në fakt opozita është e gjitha në emrin tij.
Nëse Berisha e sheh gjithçka si luftë, Basha e sheh gjithçka si mundësi. I pari nuk i jep vetes asnjë rrugë tjetër, i dyti mendon më lehtësisht për pushtetin. Për të parin jeta jashtë pushtetit është kohë e humbur, për të dytin pushteti sjell pasuri që mund të fshihen, ashtu si i ka fshehur deri tani.
Të dëgjosh Bashën kur bën thirrje për vetingun e politikanëve është të vësh kujën; ai ka fshehur çdo pasuri të tij, nuk ka dëshmuar as më minimalen, ku banon, në vilën e kujt, që tha dikur se i mori me qira, por nuk dihet qiradhënësi, kur zotëron kate të tëra të një pallati nga më të shtrenjtët, dhe askush nuk e di burimin.
As për kohën kur ai punoi me ndërkombëtarët në Kosovë, nuk ka një llogari të qartë, çka ka bërë të lind dyshimi i arsyeshëm se pasuria e tij u bë pas lidhjes me Fazlliqin, nipin e Stanishiqit, shefit të shërbimit sekret serb gjatë luftës në Kosovë, një kriminel lufte.
Berisha ka dy rrugë para vetes: ose të fitojë, ose të humbë. Edi Rama është armiku i tij i betuar, pikërisht sepse nuk e ka mundur asnjëherë. Ka fituar duke manipuluar, por nuk e ka mundur. Atë që nuk e mund, ai e urren.
Miqësia e tij fillestare me Fatos Nanon lindi pikërisht atëherë kur e mundi atë në vitin 2005, ndryshe do të ishin edhe sot e kësaj dite armiq të betuar. Pra, Berisha i do të gjitha. Kur Lulzim Basha vendosi të tërhiqet nga parlamenti dhe zgjedhjet vendore të katër viteve më parë, Berisha pati shpresën se mund të bëhej rrokada e pushtetit, dhe, kur kjo nuk ndodhi dhe në duart e Ramës ranë, si nga qielli, të gjitha pushtetet ekzekutive dhe ligjbërëse, ai pa zhdukjen e ëndrrës së tij: të gjitha pushtetet në një dorë, çka kishte pasur në vitin 1992.
Mendimi i shumë kujt është se ndarja mes dy figurave të opozitës ka ardhur thjeshtë nga etja për pushtet, të fshehur pas sloganeve për ndryshim, hapje të partisë, elementë të ri, intelektualë të bërë pjesë e strukturave drejtuese, mbështetje të në djathtën evropiane, ish të përndjekur politikë, etj.
Janë pjesë të së vërtetës, por jo e vërteta. Ajo që i ndan tani është pikërisht ajo që i bashkonte në të djeshmen. Enigma e fillesës së tyre në jetën politike pluraliste dhe 21 janari.
Të gjitha të tjerat ata i kalojnë lehtësisht: rrugën e Kombit, vjedhjet masive, korrupsionin madhor, shitjen e detit, aferat e ndryshme, Këto nuk i kalojnë dot. Në secilën aferë është edhe dora e njërit apo e tjetrit, qoftë drejtë për drejtë, qoftë përmes familjes.
Ndërsa në dy bëmat e mëdha janë ata vetë, me të fshehtat që i dinë vetëm ata, dhe me të cilat, herë pas here, në momentet e ngritjes së tensionit, ia ka kanë përmendur njëri tjetrit, si fillesë e një lufte të hapur, që asnjëri prej tyre, megjithëse e ciku, nuk kishte guximin ta çonte më tej.
Ajo nuk ishte lufta, ishte paraloja e saj. Ishte vetëm fillesa e asaj që ka ndodhur, e cila shërben si shantazh politik i jetësor, por nuk është vetë shantazhi.
Basha ia përmendi disa nga ajo që kishte ndodhur në kupolën e godinës kryeministrore në 21 janar, sa për të gërvishtur plagën dhe për të thënë se unë di shumë më tepër se kaq. Berisha hodhi në betejë njerëzit e tij, të cilët nuk kishin qenë brenda godinës, por u urdhëruan të futeshin në lojë, për t’i kujtuar ish ministrit të brendshëm se, hapja e lojës rrezikonte edhe atë vetë.
Nuk janë idetë e kundërta që i ndajnë. Janë enigmat e ngjarjeve madhore, të cilat, kanë pasur fuqinë të ndryshojnë pjesë të historisë së vendit.
Si do të kishte qenë Shqipëria pa Sali Berishën? Do të kishte ndodhur gjëma e vitit 1997? Po ndarja fatkobe mes mendimit të ndryshëm politik? Si do të kishte qenë opozita pa Lulzim Bashën? Ku e gjeti Berisha njeriun e punëve të errëta në zyrat e strukturave ndërkombëtare që hetonin krimet që kishin ndodhur në luftën e Kosovës? Kush ia dha emrin e tij? Vërtet e bija, Argita, apo ishte dikush tjetër pas saj?/ DITA