Ish-kryeministri Sali Berisha e ka nisur javën me denoncimet për inceneratorin e Tiranës. Sipas tij, përgjegjësi kryesor është kryetari i bashkisë në mandatin e tretë. Po sipas Berishës, Veliaj thotë se e ka mbyllur dosjen në prokurori. Lideri i së djathtës i kërkoi SPAK-ut që të veprojë me Veliajn ashtu sikur bëri me Arben Ahmetajn.
“Në vjedhjen e shekullit, Erion Veliaj renditet pas Edi Ramës, hajduti më kryesor. Kjo sepse djegësi i Tiranës apo me të drejtë mund të quhet djegësi i Erion Veliajt, i kontraktuar si koncesion për 128 milionë euro dhe me afat 30-vjeçar, është afera në total prej 680 milionë euro, pra 24 herë më e madhe se djegësi i Elbasanit.
Djegësi i Tiranës apo djegësi Erion Veliaj është afera më e rëndë gjer më sot, sepse në këtë aferë, Rama dhe Veliaj u kanë grabitur shqiptarëve 110 milionë euro dhe sot pas gjashtë vitesh nuk ekziston asnjë gjurmë e tij. Po të kemi parsysh se vetëm në 6 vite janë shpenzuar 110 milionë euro, djegësi i Veliajt do u kushtojë taksapaguesve në 30 vite deri në 720 milionë euro.
Djegësi Veliaj, ky përbindësh i korrupsionit qeveritar, pavarësisht se ‘pronarët’ janë në kërkim ndërkombëtar, vazhdon të përpijë përditë fonde të buxhetit të shtetit deri në 2 milionë euro në muaj, sikur të mos jetë një sipërmarrje krimi por sikur të jetë një sipërmarrje transparente dhe sukses i ligjit. Ky monument i korrupsionit mbrohet nga drejtësia vetëm se pronarët e tij janë Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi.
Qytetarët duhet ta dinë të vërtetën se është personalisht Erion Veliaj që kërkoi zyrtarisht zëvendësimin e trajtimit të mbetjeve dhe zgjerimin e landfillit të Sharrës dhe dhënies me koncesion te privati të trajtimit të plehrave me incenerim” tha Berisha.