Sipas zëdhënëses së Partisë së Lirisë, Silva Caka qeveria ka gjetur përsëri një mënyrë për të na vjedhur, kësaj radhe nëpërmjet rritjes së çmimit të referencës së apartamenteve.
“Çmimet e referencës së apartamenteve do të rriten me 54% në të 32 zonat e Tiranës dhe rrjedhimisht do të reflektohet edhe në taksën që secili nga ne paguan për pronën që posedon, si individët, ashtu edhe bizneset,” tha zëdhënësja.
“Taksa për çmimin e referencës për qytetarët do të shkojë 0.05% e këtij çmimi, ndërsa për bizneset, kjo vlerë kap shifrën e 0.15%,” tregon ajo.
“Kjo rritje e çmimit të referencës dhe në mënyrë derivative edhe e taksës që vilet prej tij, në mes të vitit, pa paralajmërim dhe pa një studim të mirëfilltë të tregut apo efekteve financiare të tij, sjell çudira në çmimet që kapin apartamentet në disa zona të konsideruara si më të frekuentuarat e të banuarat në Tiranë, madje, në zonën e Bllokut, çmimi i një metri katror do të shkojë mbi 2 milionë lekë të vjetra, kur dihet që kjo zonë ka një numër të konsiderueshëm apartamentesh, të cilat janë ndërtuar përpara 60 vitesh,” shton Caka.