Një 44-vjeçar është arrestuar në fshatin Zhulat të Gjirokastrës pasi ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij dhe e kanosi atë me armë gjahu.
Është vetë e moshuara ajo që ka telefonuar policinë për të kallëzuar djalin e saj. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga 71-vjeçarja, policia ka ndërhyrë dhe e kanë arrestuar në flagrancë 44-vjeçarin me inicialet Y. P.
“Ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij dhe e ka kanosur atë me një armë gjahu çifte që e posedonte me leje,” njofton policia e Gjirokastrës.
Arma e gjahut u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me një sasi municioni luftarak për këtë lloj arme, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis dhe një armë të ftohtë thikë që i posedonte 44-vjeçari.