Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit urdhëroi të martën sekuestrimin e kompanisë që operon kontratën kontroverse të incineratorit të Tiranës, pasi njoftoi se hetimi paraprak ka zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të.
Sipas prokurorisë, nga hetimi “ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.”
“Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Qeveria shqiptare e kryeministrit Edi Rama ka dhënë tre kontrata koncesionare për këta biznesmenë, dy prej të cilëve janë sekuestruar më herët nga SPAK ndërsa për të tretin dhe më të madhin, hetimet vijojnë.
Kompania fituese e koncesionit është regjistruar në Holandë ndërsa pronarët e saj të regjistruar në regjistrim e pronarëve përfitues janë disa shtetas italianë e francezë, të cilët dyshohen se janë fasadë për të fshehur pronarët e vërtetë.
Kompania Integrated Energy B.V u themelua në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë, ka faturuar qytetarët shqiptarë në mënyra të ndryshme, përfshirë përmes sistemit fiskal për qeverinë apo përmes tarifave të detyrueshme për depozitim mbetjesh./BIRN