Një 23-vjeçar është gjobitur me 43 000 lekë, pasi kreu manovra të rrezikshme me automjet në një zonë të banuar në Fier.
“Fier/ Kreu manovra të rrezikshme, me automjet me shpejtësi, në një zonë të banuar, identifikohet drejtuesi i automjetit dhe ndëshkohet me masë administrative 43 000 lekë.
Menjëherë pas publikimit të një video-je në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti, i cili lëviztë me shpejtësi tej normave të lejuara dhe që kryente manovra të rrezikshme, në një zonë të banuar, shërbimet e Policisë Rrugore të Fierit bënë të mundur lokalizimin e automjetit që shfaqej në video, si dhe identifikimin dhe ndalimin e drejtuesit të tij, shtetasit R. D., 23 vjeç.
Për kundërvajtjet e kryera, konkretisht për shkelje të neneve 139 dhe 141 të Kodit Rrugor, shtetasi R. D. u ndëshkua me masë administrative 43 000 lekë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe garantimin e sigurisë rrugore.”, njofton Policia e Fierit.