Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë të martën se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.
Megjithatë, Tolkach theksoi se qëndrimi i Ukrainës për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshueshëm, për shkak se çështja e “krijimit dhe zbatimit të politikës së jashtme në përputhje me legjislacionin ukrainas i takon presidentit të Ukrainës”.
Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.
Tolkach i bëri këto komente pas një interviste të kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit ukrainas, Oleksandr Merezhko, për kanalin T7 në Kosovë.
Merezhko kishte thënë më 7 gusht se “njohja e Kosovës nga Ukraina po diskutohet në Kiev.”
Në një komunikatë për media më 8 gusht, Tolkach nënvizoi se “është në veçanti e rëndësishme për Ukrainën që t’i respektojë dhe të sigurohet për mbrojtjen e normave të ligjit ndërkombëtar nga të gjitha shtetet, posaçërisht sa i përket integritetit territorial dhe pacenueshmërisë së kufijve shtetërorë të njohur ndërkombëtarisht”.
“Qëndrimi i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina e respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në komunikatën e ambasadorit Tolkach.
Por, Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.
Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Ukraina, si vend demokratik i cili e respekton lirinë e fjalës, nuk mund ta kufizojë shprehjen e mendimit të politikanëve të tjerë, të rrethit profesional apo publikut”, theksoi ai./REL