Javën e kaluar, rreth 160.000 njerëz në Itali mësuan se përfitimet e tyre sociale do të shkurtoheshin.
Lajmi iu komunikua shumë njerëzve me mesazhe, një metodë e cilësuar si “brutale” nga një politikan opozitar.
Të hënën, demonstrues dolën në rrugë në Napoli për të protestuar kundër vendimit.
Njëri e quajti kryeministren Giorgia Meloni një “Robin Hud i kundërt”, duke i thënë RAI TV se ajo “po merrte nga të varfërit për t’u dhënë të pasurve”.
Shkurtimet e buxhetit mund të kenë shkaktuar zemërim, por ato nuk ishin të papritura: Meloni dhe partia e saj e ekstremit të djathtë “Vëllezërit italianë” bënë fushatë me premtime për të shkurtuar përfitimet e mirëqenies.
Qeveria po eleminon një skemë bazë të mbështetjes së të ardhurave për familjet me të ardhura të ulëta, e prezantuar në vitin 2019, dhe po e zëvendëson atë me dy skema disi më kufizuese.
Synimi, tha kryeministrja Meloni kur reforma u shpall vitin e kaluar, është “të kthejë mirëqenien në punë”.
Megjithatë, me të dhënat e fundit që tregojnë për një rënie të papritur ekonomike dhe paraardhësin e saj Giuseppe Conte, që e akuzon atë për orkestrimin e një “katastrofe sociale dhe ekonomike”, Meloni është nën presion shtesë për të provuar se idetë e saj për ringjalljen e rritjes do të japin fryte. /DW









