Kreu i bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis mori pjesë gjithashtu në protestën e zhvilluar në Himarë për lirimin e Fredi Belerit, tubim ky i organizuar nga “Omonia” në pedonalen qendrore të qytetit.
Në fjalën e tij, Bakoyannis theksoi se paraburgimi i Fredi Belerit shkel shtetin e së drejtës. Po ashtu kryebashkiaku i Athinës përsëriti qëndrimin e shumë zyrtarëve të tjerë grekë, duke thënë se kjo ngjarje do ta pengojë udhëtimin e Shqipërisë drejt rrugës europiane.
“Demokracia nuk burgoset. Zëri i qytetarëve nuk hesht. Urdhri i popullit nuk shkelet. Himara ka kryebashkiak e keni zgjedhur kryebashkiakun dhe ai është Fredi Beleri. Thërrisnin emrin e tij sepse kryebashkiaku juaj ka emër dhe ai është Fredi Beleri.
Miku im Fredi Beleri ka të drejtën e një gjyqi të drejtë. Fredi Beleri ka të drejtë të betohet si kryebashkiak dhe të marrë detyrën e tij. Është e drejta e tij, por është e drejta edhe e popullit të Himarës.
Dëshiroj të mirëpresin Shqipërinë në familjen europiane, duam të jetojmë bashkë në shtëpinë tonë të madhe, por kjo shtëpi do themele, shteti i së drejtës, demokracia, janë principet tona dhe janë të panegociueshme,” tha Bakoyannis.
Kalimi i afatit tre mujor i parashikuar nga Ligji Zgjedhor për betimin e Fredi Belerit, legjitimon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të vazhduar procedurat për përsëritjen e zgjedhjeve në Himarë.