Fredi Beleri nga burgu ka dhënë sërish një intervistë për mediat greke, ku ka hedhur akuza ndaj kryeministrin Edi Rama.
Sipas Belerit, është Rama ai që e ndalon që të marrë detyrën si kryebashkiak i Himarës, pasi ka nën kontroll të gjitha institucionet, përfshirë këtu edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, sipas tij.
“Ndalimi im është i paligjshëm, por ajo që është krejtësisht e paligjshme përtej çdo dyshimi është që më pengon të marr detyrën, më pengon të bëj betimin dhe kjo është përgjegjësi e kryeministrit shqiptar. Kur thotë se është çështje drejtësie, gënjen sepse drejtoria e përgjithshme e burgjeve kontrollohet nga Rama, ndaj mund të më japë leje të bëj betimin. Synimi i kryeministrit shqiptar nuk është të marrë detyrat,” tha Beleri për mediat greke..
Beleri gjithashtu falenderoi politikanët grek që morën pjesë në tubimin e organizuar një ditë më parë, në mbështetje të tij.
Kujtojmë po ashtu se sot ka pasur një reagim të ashpër nga kryeministri Edi Rama ku në një postim të gjatë në Facebook, tha se “ngjarje të tilla mund të sjellin pasoja regresive në rindezjen e toneve nacionaliste dhe urrejtje ndërmjet dy vendeve”, duke e konsideruar unikale në historinë e Europës organizimin e një proteste të tillë e ku në mbështetje u panë edhe kryebashkiakë grek.
Po ashtu, dje ishte afati i fundit që Beleri të betohej për të marrë detyrën si i zgjedhur për të drejtuar Bashkinë e Himarës.