22-vjeçari Klajdi Manaj është arrestuar pas disa minutash ndjekjeje nga policia e Sarandës pasi nuk iu bind urdhrit të tyre për të ndaluar për kontroll dhe tentoi të largohej me automjet me shpejtësi, duke iu rrezikuar jetën efektivëve.
Mësohet se pavarësisht sinjalizimit për të ndaluar, Manaj ka shtuar shpejtësinë e automjetit dhe ka goditur një punonjës policie, i cili si pasojë është dëmtuar lehtë.
Policia bën me dije se gjatë kontrollit më pas, atij iu gjet një sasi lënde narkotike dhe në banesë iu gjetën poi ashtu 108 fishekë.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 22-vjeçari e drejtonte automjetin, pa leje drejtimi dhe pa pasur dokumentacionin përkatës për këtë automjet.
Lënda narkotike, fishekët luftarak dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Sarandës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.