Sondazhet tregojnë se rreth 54% e amerikanëve nuk e mbështesin punën që po bën Presidenti Joe Biden, madje edhe mbështetësit e Partisë Demokrate kanë shprehur shqetësime lidhur me moshën e presidentit.
Por Biden nuk ka sfidues të rëndësishëm brenda Partisë Demokrate për zgjedhjet e vitit 2024, duke e bërë pothuasje të sigurtë se ai do të marrë emërimin e partisë për një mandat të dytë presidencial.
Në Arlington të Virxhinias, disa demokratë shprehin shqetësimin se Presidenti Joe Biden do të jetë kandidati i partisë së tyre në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Arsyeja kryesore është mosha.
“Ai ka njohuri të gjera, por si një president efektiv, veprimet e tij janë pak më të ngadalta se sa duhet të jenë,” thotë Darin Marshall.
“Shumë njerëz shpresojnë që në garë të futen kandidatë të tjerë dhe të përkrahen nga partia,” thotë këshilltarja Melissa Fry.
“Konkurrenca është e shëndetshme dhe në disa raste e nevojshme, që njerëzit të shfaqin aftësitë e tyre,” thotë Yaileen Rodriguez.
Deri tani, vetëm dy kandidatë po sfidojnë presidentin aktual, aktivistja shpirtërore Marianne Williamson dhe veprimtari për mjedisin Robert F. Kennedy Jr.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Ben Berger, profesor i shkencave politike në Kolegjin Swarthmore.
“Asnjëri nuk do ta marrë emërimin e partisë, nëse bazohemi tek historia. E vetmja mënyrë që të kemi një kandidat tjetër demokrat është nëse zoti Biden vendos të largohet”.
Historianët thonë se është shumë e vështirë të mundësh presidentin në detyrë për të marrë emërimin e partisë.
“Emri i presidentit në detyrë njihet nga të gjithë. Presidenti në detyrë ka burime financimi, që nuk mund t’i sigurojë konkurenti i tij. Dhe kuptohet, ka përvojë në fushatë dhe qeverisje,” thotë për Zërin e Amerikës Allan Lichtman, profesor i historisë në Universitetin Amerikan. /VOA
Artikulli i plotë këtu.