Policia dhe Prokuroria pretendojnë se grupi kriminal që u godit në Patok është një grup trafiku lëndësh narkotike nga Turqia në drejtim të vendit tonë dhe më pas nga aty kalimi në Itali dhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian.
Operacioni që solli 6 persona në pranga pretendohet se ka zbuluar edhe një vend bazë për grumbullimin e lëndës narkotike që lidhet me lokalin luksoz pronë e familjes Çela, ku Gëzim Çela prej më shumë si një dekade është pakëzuar edhe me nofkën ‘baroni’. Operacioni i policisë në det, rreth 18 milje larg zonës së Lagunës së Patokut, rezulton të ketë pasur edhe një personazh të shtatë i cili ka mundur të arratiset teksa policia kryente bastisjen. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza arriti të godasë grupin e 6 trafikantëve në zonën e Fushë-Kuqes, të cilët u kapën në flagrancë pasi shkëmbyen kanabisin për kokainë me anë të mjeteve lundruese gomone e velierë në mes të detit Adriatik.
Në dosjen e Prokurorisë ku bëhet fjalë për operacionin “Flakë në det” thuhet se trafikantët do të kryenin shkëmbim të kokainës me kanabisin që ndodhej në gomonen e nisur nga Laguna e Patokut në Kurbin, ndërkohë që prangave iu ka shpëtuar Arben Dalipaj, i njohur me nofkën “Kapelja”, i cili dyshohet se ka qenë drejtuesi i gomones që u nis nga lokali “Royal Blue”, Patok, së bashku me të dyshuarin Besnik Brokeri. E ndërsa ky i fundit u arrestua në flagrancë në këtë mjet lundrues, ‘kapelja’ është zhdukur. Sipas dosjes, ‘kapelja’ kishte komunikim me ish-policin Ismailukaj, kjo pas këqyrjes së aparatit telefonik të ish-policit.
“Nga këqyrja e aparatit celular të sekuestruar shtetasit Arlind Ismailukaj, rezulton se më datë 15.08.2023, ora 02:58, ky shtetas ka komunikuar me shtetasin me pseudonimin “Kapelja”, ku sipas të dhënave të administruara nga Policia Gjyqësore është shtetasit Arben Dalipaj, shtetas i cili dyshohet se ishte drejtues i mjetit lundrues tip gomone që u nis nga vendbanimi i lokal Royal Blue, Patok, Kurbin, së bashku me të dyshuarin Besnik Brokeri, i cili u kap në flagrancë në këtë mjet lundrues Sipas të dhënave të policisë gjyqësore mjeti lundrues i drejtuar nga shtetasit Arben Dalipaj dhe Besnik Brokeri, lëndën narkotike do e dorëzonin te lokal “Royal Blue”
Gjatë operacionit u bë i mundur sekuestrimi i vetëm 28 kg kanabis, pasi ngarkesa tjetër u dogj nga dy ukrainasit Kyrylo Ponomarenko dhe Kosiantyn Biello sapo pikasën forcat e Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanzian, ndërsa ende nuk ka një informacion për kokainë që flitet se do të shkëmbehej. Sipas dosjes, gjithçka u planifikua në restorantin në pronësi të Nerim Çelës, nipi i baronit të kokainës Gëzim Çela. Ambienti luksoz përdorej si ‘depo’ e drogës. Nga hetimet Besnik Brokeri së bashku me Arben Dalipin u nisën të dy nga restoranti në fjalë me kanabisin dhe do të kthenin po aty kokainën që do shkëmbenin në det.
Në kohën që po kryheshin kontrollet e ambienteve rreth orës 02:40 në oborrin e lokalit u konstatua mjeti tip “Audi” me targë ABOO4A1, ku drejtues mjeti ishte Arlind Ismailuka dhe pasagjer në vendin e parë Armando Mema. Nga kontrolli i automjetit në pjesën e kroskotin të makinës u gjetën dhe sekuestruan shuma të konsiderueshme parash.
Nga të dhënat e administruara nga policia gjyqësore rezulton se lënda narkotike nga mjeti lundrues tip gomone” do të dorëzohej në ambientet e lokalit “Royal Blue” te pjesëtarët e këtij grupi kriminal, e më pas do të bëhej trafikimi saj.
Më datë 15.08.2023, nga ana e Policisë Gjyqësore është këqyrur vendi ku ndodhej mjeti lundrues ‘veliere’ i djegur nga shtetasit Kyrylo Ponomarenko dhe Konstandin Bellon. Gjatë këqyrjes së kryer nga Policia Gjyqësore janë konstatuar pjesë të mjetit lundrues të djegur, si dhe disa pako të mbështjella me natriban, në të cilat ndodhej lëndë e dyshuar si lëndë narkotike.
Nga dosja e SPAK del edhe emri i ish-efektivit, Arlind Ismailukaj, në telefonin e të cilit u gjetën komunikime me Arben Dalipajn, gjithashtu në makinën e tij i shoqëruar nga Arben Memën u gjetën 10 mijë euro të fshehura në kroskotin e makinës. Pasi është bërë shkëmbimi i kanabisit me kokainën, e cila vinte me një verlierë nga Mali i Zi, gomonia të cilën e drejtonte Brokeri dhe Dalipi, është sekuestruar pas disa orësh ndjekje nga ana e policisë. Por brenda saj nuk është gjetur lënda narkotike kokainë, e cila dyshohet se është marrë nga trafikantët shqiptarë. Ndërkohë, veliera me lëndë narkotike kanabis, që drejtohej nga dy ukrainasit është konstatuar në afërsi të Kepit të Rodonit./ Panorama