Një takim që është mbajtur në fillim të kësaj jave në Athinë midis udhëheqësve të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian dhe krerëve të shteteve ose qeverive të disa vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, ka dhënë mjaft indikacione për rrugën që mund ta marrë zgjerimi i bllokut këtë vjeshtë dhe në vitet në vazhdim. Ai ka zbuluar, po ashtu, se i gjithë procesi është i rrethuar me çështje të ndërlikuara.
Së pari, duhet analizuar konteksti i këtij takimi në kryeqytetin grek, me ftesë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Tubimi i tillë është një ngjarje e rregullt në këtë periudhë të vitit, tash e disa vite. Zakonisht përfshin gjashtë vendet kandidate dhe kandidate potenciale për në BE të Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Në shumë mënyra, takimi në Greqi ka qenë një mjet për këtë vend për të treguar lidership në një rajon, ku gjendet gjeografikisht dhe ku luan rol të jashtëzakonshëm politikisht.
Për më tepër, ky takim ka shënuar 20-vjetorin e një vendimi historik në Selanik qytetin e dytë të Greqisë sipas të cilit, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, një ditë, do të anëtarësohen në BE. Trashëgimia dhe simbolika pas këtij vendimi janë të dukshme.
Megjithatë, takimi ka ofruar diçka të re. Ka pasur dy të ftuar të rinj: Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo e ka transformuar atë në një ‘samit joformal të zgjerimit të BE-së’, pasi Kievi dhe Kishinjevi janë vende kandidate për në BE.
Shpresat janë që bisedimet e pranimit me to të nisin deri në fund të vitit. Por, prania e tyre ka ngritur pyetjen se pse kanë munguar vendet e tjera që aspirojnë BE-në, Turqia dhe Gjeorgjia?! /REL
Artikulli i plotë këtu.