Mediat italiane raportuan dje për një fëmijë 19-muajsh që ndërroi jetë në Shqipëri pasi kishte ardhur për pushime tek gjyshërit. Ditën e sotme “La Repubblica” jep të tjera detaje lidhur me ngjarjen e rëndë dhe dyshimet për shkaqet që i morën jetën vogëlushes.
“Një lajm i tmerrshëm tronditi të gjithë komunitetin e Centobuchi, një pjesë e komunës së Monteprandone (Ascoli Piceno). Vogëlushja Soleil Andolfi vdiq papritur në moshën 19-mujore, teksa ndodhej me familjen në Shqipëri, me pushime me gjyshërit e saj nga nëna” thuhet në artikull.
Por cilat janë shkaqet? “Gjithçka ndodhi brenda pak ditësh. Babi Alessandro dhe mamaja Lorinda ishin infektuar me Covid gjatë pushimeve. Më vonë vajza e vogël kishte filluar të ndihej keq, por ende nuk dihet nëse edhe ajo kishte rezultuar pozitive me virusin dhe nëse gjendja e prindërve kishte ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së saj” shkruan gazeta.
Vajza u transportua me urgjencë në spital, por nuk ia doli. “Në pak kohë, gjendja e vajzës u përkeqësua dhe të premten ajo u transportua me urgjencë në spital. Fatkeqësisht ndërroi jetë. Hetimet do të përcaktojnë shkaqet e vdekjes. Familja kishte disa vite që jetonte në Centobuchi së bashku me dy fëmijët e tjerë Emily dhe Joel.
Trupi i vogëlushes do të kthehet sot në Itali dhe varrimi do të bëhet në orën 16:30 në kishën Regina Pacis” thotë “La Repubblica”. Babai ka dashur të kujtojë vajzën e tij Soleil në rrjetet sociale, duke postuar një imazh të vajzës së tij.