Prania e Grupit Wagner shtrihet që nga vendet e lashta të Sirisë dhe deri në shkretëtirat e Afrikës Nënsahariane, duke ushtruar kështu influencën globale të Kremlinit nëpërmjet mercenarëve që akuzohen se përdorin forcë brutale dhe përfitojnë nga marrja e pasurive minerare.
Por kjo ishte situata nën drejtimin e Yevgeny Prigozhinit, që në një video rekrutimi ndoshta të fundit të tij, u shfaq me uniformë ushtarake dhe mbante në dorë një armë luftarake, në një terren të thatë dhe plot pluhur, ndërsa mburrej se Wagneri “po e bënte Rusinë edhe më madhështore në të gjitha kontinentet dhe Afrikën edhe më të lirë”.
Një avion privat me të cilin udhëtonte Prigozhini dhe drejtuesit e tij më të afërt ushtarakë u përplas në veriperëndim të Moskës të mërkurën, dy muaj pasi ai udhëhoqi një rebelim të armatosur që sfidoi autoritetin e Presidentit rus Vladimir Putin.
Ka spekulime se udhëheqësi i mercenarëve, i cili mendohet se është i vdekur, ishte vendosur në objektiv për t’u vrarë për shkak të rebelimit, megjithëse Kremlini ka mohuar të jetë përfshirë.
Rrëzimi i avionit ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen e ushtrisë së tij private, që luftoi përkrah forcave ruse në Ukrainë, përpara rebelimit të tij jetëshkurtër kundër udhëheqësve ushtarakë në Moskë.
Autoritetet ruse janë shprehur se duhet të pritet për rezultatin e testit të ADN-së për të konfirmuar vdekjen e Prigozhinit, por Presidenti Putin shprehu ngushëllime pasi avioni ra në fluturim./VOA
Artikulli i plotë këtu.