Kryeministri Edi Rama thotë se nuk mund të ketë dy drejtësi lidhur me çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe se as Greqia dhe asnjë faktor tjetër nuk mund të ndërhyjnë në punën e kësaj të fundit.
“Kërcënimet për pengim të rrugës së mëtejshme te integrimit të plotë të Shqipërisë dhe anëtarësimit të saj të plotë në BE, ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të hyjë në këtë proces, që t’i japë leje një të paraburgosuri që të shkojë të bëjë betimin apo që të betohet në zyrë me noter siç thonë, është në mospërputhje të plotë, qoftë me të drejtën sovrane të Shqipërisë për të ushtruar dhe për të zbatuar legjislacionin e vet evropian në perimetrin e Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe me bashkëjetesën evropiane mes vendesh që janë vende demokratike, që i përkasin të njëjtës familje vlerash dhe ku nuk mund të bëjë vaki që njëri vend t’i tregojë tjetrit se si duhet të funksionojë në një rast konkret dhe çfarë duhet të bëjë në një rast konkret njëri apo tjetri për të zbatuar ligjin në vendin e vet.
Në ndërkohë që siç e kam thënë, ne jemi duke studiuar rastin, pasi kur përfundon afati i 90 ditëve, normalisht sipas çfarë thuhet në ligj, qeveria duhet ta shkarkojë kryetarin e zgjedhur që nuk është paraqitur për të bërë betimin dhe duhet të caktojë një kujdestar deri në zgjedhje të reja…
Unë do të isha i lehtësuar nëse ne do të mundeshim që t’i linim procesit gjyqësor mundësinë të përfundonte dhe në fund të procesit të dinim nga drejtësia, jo nga Greqia nëse ky njeri është i fajshëm apo është i pafajshëm,” tha Rama në intervistë.