Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ndaras kanë diskutuar për alternativat e marrëveshjes për eksportin e drithërave nga Deti i Zi, pasi Moska muajin e kaluar u tërhoq nga pakti i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara. Kjo marrëveshje mundësonte eksportin e sigurt të drithërave ukrainase në tregjet globale.
Reuters, duke cituar një zyrtar nga Departamenti amerikan i Shtetit që ka folur me gazetarët, raportoi më 30 gusht se SHBA-ja dhe Rumania po punojnë për të rritur eksportet e drithërave ukrainase përmes transportimit nëpër lumin Danub. Kjo po shihet si alternativë për nismën e dështuar të Detit të Zi.
Ky zyrtar, që foli në kushte anonimiteti, tha se Uashingtoni dhe Bukureshti janë duke studiuar mundësitë që “potencialisht të dyfishohen” eksportet e drithërave që aktualisht kalojnë përmes Danubit.
“Ne po shikojmë që të mbështesim rrugë alternative: rruga e Danubit është rruga kryesore aktualisht. Kjo rrugë kalon përmes ujërave territoriale të NATO-s. Prandaj, është një rrugë shumë atraktive për ne në mënyrë që të mbajmë një korridor më të sigurt,” tha ky zyrtar për gazetarët.
Zyrtari i DASH-it shtoi se një takim do të mbahet në javët në vijim me zyrtarët nga Rumania dhe Moldavia për të diskutuar se si mund ta përdorin rrugën e Danubit në nivel maksimal.
Pavarësisht se po diskuton për rrugë alternative, Uashingtoni po ashtu mbështet përpjekjet e Ankarasë që të kthejë në marrëveshjen origjinale Moskën, shtoi zyrtari amerikan.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më 30 gusht tha se ai dhe homologu i tij turk, Hakan Fidan, planifikojnë të diskutojnë një propozim të Moskës për një alternativë për marrëveshjen e Detit të Zi.
Dy zyrtarët pritet të takohen gjatë kësaj jave. Përveç OKB-së, edhe Turqia kishte ndërmjetësuar marrëveshjen origjinale. /REL
Artikulli i plotë këtu.