Udhëheqësit e Kosovës i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar për më shumë trysni ndaj Serbisë për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ndërsa ende nuk dihet asgjë për një mijë e 617 persona, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Ndërsa po vendosnin kurora lulesh në një pllakë përkujtimore për të zhdukurit ata thanë se kjo është “plaga më e thellë dhe dhimbja më e madhe e vendit”.
“Kjo për popullin tonë është një dhimbje që nuk po përfundon kurrë dhe një mungesë e drejtësisë për familjarët dhe gjithë popullin tonë, të cilëve Serbia ua zhduku me dhunë më të dashurit e tyre.
Me vet faktin që këtyre viteve të fundit në shumë lokacione të Serbisë u gjendën trupa të më të dashurve tanë, tregohet se harta ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë të zhdukurit me dhunë, është Serbia,” tha kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Në muajin maj të këtij viti udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës ata zotohen për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Serbia duke mos zbatuar zotimet e saj nga kjo deklaratë dhe nga marrëveshja e Ohrit, po ripërsërit krimet e saj. /VOA
Artikulli i plotë këtu.