Sot ka dalë në dritë një video që dyshohet se tregon liderin mercenar të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin në Afrikë, vetëm disa ditë para vdekjes së tij, duke nxitur spekulime për shëndetin e tij dhe kërcënime të mundshme për sigurinë e tij.
“Për ata që po debatojnë nëse jam gjallë apo i vdekur – tani është fundjava – gjysma e dytë e gushtit 2023, unë jam në Afrikë” thotë Prigozhin në videon e shkurtër të postuar nga kanali Telegram Gray Zone, i cili është i lidhur me paramilitarët mercenarë të “Wagner”.
“Pra, për ata që duan të flasin për shkatërrimin tim ose jetën time private, sa para fitoj apo çfarëdo qoftë, kjo është në rregull” shton Prigozhin, i cili u vra në një aksident ajror menjëherë pas tentativës së tij për grusht shteti kundër Vladimir Putinit.
“Reuters” shkruan se nuk ishte në gjendje të përcaktonte vendndodhjen ose datën e videos, e cila ishte filmuar nga brenda një automjeti në lëvizje.
Uniforma e kamuflazhit dhe kapelja e Prigozhin si dhe ora në dorën e tij të djathtë përputhen me pamjen e tij në një video të publikuar më 21 gusht që gjithashtu pretendon se është marrë në Afrikë.
Referenca e Prigozhin për një “fundjavë” tregon se videoja e fundit duhet të jetë bërë më 19 ose 20 gusht, vetëm tre ose katër ditë përpara rrëzimit të avionit në 23 gusht në veri të Moskës. Komentet që ai bën në video tregojnë se Prigozhin ishte i vetëdijshëm se jeta e tij ishte në rrezik.