Nesër Partia Demokratike zyrtare mbledh Kuvendin Kombëtar. Lulzim Basha pritet që të ndryshojë statutin më pas të vazhdojë me “fshesën” e radhës për kritikët. Në krahun tjetër sot Sali Berisha deklaroi publikisht se është në negociata me grupin e drejtuar nga Gazment Bardhi për t’u bashkuar.
Në nisje të sesionit të ri parlamentar ditën e hënë PD është e ndarë në katër pjesë. Zyrtarja që ka vulën ka mbetur më një grusht deputetësh që numërohen me gishtat e dorës.
Lulzim Basha ka në krah vetëm Alibeajn, Çollakun, Pampurin, Açkën, Agalliun dhe Merita Bakiun. Sali Berisha dhe Gazment Bardhi që ende është kryetar grupi kanë shumicën e deputetëve pas tyre.
Ndërkohë që ka edhe një pjesë tjetër deputetësh si Jorida Tabaku, Ferdinand Xhaferraj apo Agron Gjekmarkaj që nuk janë pozicionuar. Megjithatë mbetet për t’u parë me interes nëse negociatat mes Bardhit dhe Berishës do të sjellin një tjetër çarje.
A do të pranojnë deputetët që dje u larguan nga Berisha me pretendimin e “non grata”-s që sot në radhët e Bardhit të bashkohen në një front me ish-kryeministrin?
Në gjithë këtë histori pjesa dërrmuese kërkojnë largimin e dy palëve, si të Bashës dhe të Berishës nga PD për t’i hapur rrugën një tjetër lidershipi. Telenovela vazhdon…
Berisha negociata me Bardhin për grup parlamentar: Ka vullnet për bashkim