Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i është drejtuar me një mesazh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me rastin e nisjes së sesionit parlamentar 2023-2024.
Teksa i uron deputetëve një fillim të mbarë të sesionit të ri parlamentar, Begaj vlerëson se cilësia e shkëmbimeve të ideve mes krahëve politike, po aq sa përfshirja në diskutime konstruktive, fatkeqësisht lë ende shumë për të dëshiruar.
“Dua t’ju përcjell kërkesën e qytetarëve tanë, të cilët kanë nevojë që t’ju shohin e t’ju dëgjojnë tek diskutoni për të tashmen e të ardhmen e tyre, pa humbur kohë me personalizimin e debateve dhe fyerje reciproke, skena këto që i zhgënjejnë, i bëjnë pesimist dhe i distancojnë ata nga politika,” shprehet Presidenti Begaj.
“Thirrja ime është e thjeshtë: kthejeni Kuvendin në hapësirën e pajtimit dhe në vendin e debateve konstruktive, ku profesionistë të ndryshëm, media, studentët, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë dëshirë të përfshihen për t’i dhënë një shtysë të fortë reformave për integrimin evropian dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit,” shton Begaj.
Presidenti e konsideron një problem serioz atë të emigrimit të të rinjve dhe të shtetasve të mirëedukuar e mirëkualifikuar.
Sipas Kreut të Shtetit, problemeve të zhvillimit ekonomik apo të mosshfrytëzimit të potencialit territorial në disa zona, i shtohen edhe problemet me sistemin arsimor, shëndetësor, si dhe të shërbimeve administrative e sociale.
Në mesazhin e tij Presidenti përmend edhe lirinë e medias, që ka rol thelbësor në një shtet demokratik, ndaj gazetarët duhet të kenë çdo mundësi të raportojnë të lirë, si punën e organeve publike, ashtu edhe problematikat e qytetarëve.
Shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit duhet të jenë çështje jo vetëm të agjencive ligjzbatuese, por duhet të mbështeten thelbësisht nga Kuvendi.