Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka në fjalën e fundit përpara se gjykata të japë vendimin për dosjen e inceneratorit të Elbasanit ka deklaruar se është i pafajshëm, që nuk ka marrë asnjë qindarkë nga impianti i trajtimit të mbetjeve dhe se gjithçka është një “tallava” që po sipas tij e ka sajuar Ilir Meta me Monika Kryemadhin si hakmarrje.
Koka ka thënë se ka hyrë në politikë si biznesmen dhe nuk e ka bërë politika të tillë. Tha se nuk kas një fakt dhe provë kundër tij. Më tej deklaroi se pagesat e inceneratorëve kanë nisur një vit pas largimit të tij. U hodhi fajin Arben Ahmetajt që lëvroi fondet dhe bashkisë së Fierit për ndryshimin e vendit të inceneratorit.
“Kam menduar se këto akuza nuk do ta kalonin fazën e seancës paraprake. Unë akuzohem për tre akuza totalisht absurde, akuzohem pa fakte penale. Nuk e kisha imagjinuar që do dilja para gjykatës pasi një përfaqësues i prokurorisë fsheh faktet.
Sot dal para jush me 2 pretenca me nga 10 vite. Kjo Strukturë e Posaçme është kalaja e çdo shqiptari për të marrë drejtësi. Unë hyra në politikë si biznesmen dhe nuk më bëri politika-biznesmen.
Kjo akuzë është ngritur në formën e tallavasë. Po diskutoja me një nga të pandehurit dhe më tha që prokuroria ka kërkuar për të 4 vite burg. I thashë “shyqyr që s’të ka njohur Monika se të kishte bërë grup me Lefter Kokën. Kërkoj drejtësi të pa ndikuar nga politika dhe opinion, në të kundërt, unë do të jem viktima e radhës.
Pagesat dhe ndërtimi Inceneratorit kanë filluar në 2018 unë jam larguar si Ministër më 2017. Shpronësimi i tokës është njohur i ligjshëm me Vendim të Formës së Prerë të Gjykatës Administrative. Statusi i është ndryshuar nga Këshilli Bashkiak Fier para se vendimi të vinte në Këshillin e Ministrave.
Gjykohem dy herë për të njëjtën gjë. Akuza është thjeshtë kopje e proçesit analog të Elbasanit. Relacioni i administratorit të caktuar nga gjykata, provon pafajësinë time. Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova. Kriter themelor i procesit penal. Të besosh tek çifti famëkeq është njësoj si të investosh tek Sudja dhe Rrapushi në ditët e fundit të falimentit. Kjo çështje kërkon drejtësi!
Drejtësia është vetëm një e pa ndikuar në interesa, e pa ndikuar nga akuza e pa ndikuar nga opinioni. Përndryshe unë do të jem viktima e radhës e kjo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo. Kjo strukturë nuk është kala ku ju të bërë bashkë duhet ta mbroni por është kala e çdo shqiptari për të marrë drejtësi.
Nuk do të rresht së kërkuari deri në frymën e fundit, jo vetëm në këtë gjykatë të provojë pafajësinë time. Me prova e fakte të provoj fajësinë e atyre që më hoqën lirinë në mënyrë brutale duke më arrestuar e më pas duke sajuar prova të turpshme.
Meqenëse nuk u provua asnjë shumë e përfituar, asnjë llogari bankare, asnjë aset i shtuar që nga viti 2010, prokurorët menduan të më akuzojnë për pastrim dhe të sekuestrojnë prona të përftuara që në vitin 2000.
Që nga viti 2003 kur mora edhe detyrën e kryetarit të Bashkisë Durrës, kam qenë subjekt i deklarimit të pasurisë dhe pronat që disponoj janë fryt i punës time të ndershme dhe jo i ryshfeteve, as i trafiqeve, as i prostitucionit e as i të qenit aksioner anonim në shoqëri ndërtimi, e për të atillë më njeh Durrësi qyteti im e më gjerë.
Do ngushëllohesha në izolim në qoftë se kallëzimin do e kishte bërë çdokush tjetër shqiptar, por të bëhet nga ai çift famëkeq është e trishtë, e të besosh tek ata është si të investosh tek Sudja e Rrapushi në ditët e fundit të falimentit.
Ndaj dua sot para jush të kërkoj drejtësi dhe drejtësia është vetëm një, e pa ndikuar nga interesa, e pa ndikuar nga akuza, e pa ndikuar nga opinioni pasi përndryshe një drejtësi e tillë rrit pasigurinë, humbet besimin e opinionit e unë do të jem viktima e radhës duke mos harruar se ajo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo” tha ai.
Koka ia hedh fajin Ahmetajt për inceneratorin e Elbasanit: Mos i jepte lekët