Partia Demokratike zyrtare që drejtohet nga Lulzim Basha do të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme lokale në bashkinë e Kukësit. Pasditen e sotme, dega e PD-së në qytetin verilindor njoftoi se ka marrë vendim për të mos dalë me një kandidat në 24 shtator.
“Ndaj në kushtet e krijuara pas “nxitimit’ me “primare” të paracaktuara dhe caktimit të kandidatit, Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim, që të mos krijojë kushtet për një ndarje akoma më të thellë të demokratëve në dëm të qytetarëve të Kukësit.
Në këto rrethana Partia Demokratike, me përgjegjësi të plotë deklaron se nuk do të dalë me një kandidat për zgjedhjet e datës 24 shtator për Bashkinë e Kukësit.
Partia Demokratike nuk do të bëhet kurrë “trau i dytë” i humbjes, në dëm të demokratëve dhe qytetarëve kuksianë. Partia Demokratike qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre dhe po punon fort për ringritjen, bashkimin dhe unifikimin e të gjithë strukturave” mbyllet postimi i degës së PD-së zyrtare në Kukës.
Kandidati nga ish-kryeministri Sali Berisha, Emri Vata do të garojë nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Vata ish-drejtues në radhët e Policisë së Shtetit do të konkurrojë përballë prefektit Albert Halilaj që përfaqëson Partinë Socialiste në këto zgjedhje.
Zgjedhjet e parakohshme në Kukës mbahen pas shkarkimit të Safet Gjicit të zgjedhur nga radhët e socialistëve. Ai po hetohet për korrupsion pasiv pas skandalit të një video intime.