Sot në Shkup mbahet samiti i radhës i Bërdo-Brionit, ku shtetet pjesëmarrëse “do të riafirmojnë angazhimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal, zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe përparimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.
Në këtë takim, sipas kabinetit të presidentit maqedonas, marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; i Shqipërisë, Bajram Begaj; i Serbisë, Aleksandar Vuçiç; e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; i Kroacisë Zoran Millanoviç, anëtarët e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiç, Denis Beqiroviç dhe Zhelka Cvijanoviç dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç.
Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Borut Pahor, atëherë kryeministër i Sllovenisë. Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE. Udhëheqësit e shteteve të procesit Bërdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit.