Me përfshirjen në preambulën e Kushtetutës, si popull shtetformues, pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut do të mund të realizojë të drejta të njëjta sikurse bashkësitë tjera etnike, si ajo turke, serbe, boshnjake, rome dhe vllahe.
Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhelal Hoxhiç, zëvendësdrejtor i agjencisë për realizimin e të drejtave të bashkësive etnike.
Përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë duhet t’i paraprijnë ndryshimet kushtetuese që janë në procedurë parlamentare, por miratimi i tyre është vënë në pikëpyetje për shkak se shumica parlamentare nuk i ka siguruar ende dy të tretat e votave nga 120 ulëset në Kuvend.
Përfshirja e kësaj pakice kundërshtohet nga opozita maqedonase që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja me arsyetimin se kjo do të rrezikonte “gjuhën dhe identitetin maqedonas” apo se do të nënkuptonte “bullgarizim të Maqedonisë”.
Por, miratimi i ndryshimeve kushtetuese është kusht për Maqedoninë e Veriut për vazhdimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe në rast të dështimit, Sofja mund të bllokojë procesin e mëtejmë integrues.
Xhelal Hoxhiç thotë për Radion Evropa e Lirë, se me përfshirjen në Kushtetutë, pakica bullgare nuk do të fitonte më shumë të drejta se bashkësitë etnike dhe se të gjitha të drejtat e tyre do të jenë në përputhje me ligjet në fuqi.
Ai thotë se të drejtat e tyre kryesisht kanë të bëjnë me arsimin, informimin, aktivitetet për zhvillimin dhe ruajtjen e traditave të tyre përmes organizimeve të ndryshme dhe punësimit në organet shtetërore./REL