Mbrëmjen e djeshme në ndeshjen kualifikuese e vlefshme për Euro2024 në mes të Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht, tifozët vendas shpalosën banderola me mbishkrimet “Kosova është Serbi”.
Pas kësaj edhe pas thirrjeve raciste që u dëgjuan në stadium, gjyqtari ndërpreu ndeshjen për disa minuta.
Në ato minuta, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bëri një postim në Facebook i cili ka nxitur reagime në mediat rumune.
“S’ka slogan që e ndryshon realitetin tonë! Që nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova është shtet i pavarur, ndërkaq, që nga 3 maji i vitit 2016, Kosova është anëtare me të drejta të plota në UEFA. Sloganet politike, koret fashiste, fishkëllimat e sharjet drejt djemve tanë dhe Kosovës në Rumani nuk na ndalin,” shkroi Memli Krasniqi.
“Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe nuk dorëzohemi para fashistëve të vegjël turbofolk. E përjetshme është Kosova,” ka shtuar Krasniqi.
Ndërkohë në mediat rumune, deklaratat e Krasniqit ka marrë vëmendje teksa titujt për deklaratën e tij dhe për ndeshjen në tërësi janë shënjuar me termin “Skandale Diplomatike”.