Sulmet ajrore izraelite në perëndim të Sirisë më 13 shtator kanë vrarë dy ushtarë, raportoi media shtetërore. Ndërkaq, një grup që monitoron luftën raportoi se një militant po ashtu është vrarë në sulmet ajrore që goditën një depo armësh të Hezbollahut. Nga sulmi humbën jetën dy ushtarë, ndërsa u plagosën edhe gjashtë të tjerë.
Gjatë më shumë se një dekadë lufte në Siri, Izraeli fqinj ka kryer qindra sulme ajrore në Siri, kryesisht ka shënjestruar forcat e mbështetura nga Irani, që janë aleat të grupit libanez, Hezbollah, por ka sulmuar edhe pozicione të ushtrisë siriane.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – që monitoron luftën – tha se sulmet e fundit ajrore kishin për shënjestër pozicionet e ushtrisë dhe një depo armësh që i përket Hezbollahut, afër Al-Jamasah në provincën Tartus.
Al-Jamasah gjendet në jug të qytetit Tartus dhe është bastion i Qeverisë siriane. Aty gjendet edhe një port detar që përdoret nga Rusia, forcat e së cilave mbështesin presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Sipas këtij grupi monitorues, sulmet e kryera nga Izraeli kishin për cak edhe një bazë të mbrojtjes ajrore siriane në fshatin Karto, 10 kilometra larg Al-Jamasahit.
Izraeli rrallë komenton për sulmet që kryen ndaj caqeve në Siri, por vazhdimisht ka thënë se nuk do të lejojë rivalin e tij, Iranin, i cili mbështet Damaskun, të zgjerojë ndikimin dhe praninë e tij në Siri.
Me mbështetjen e Iranit dhe Rusisë, Qeveria e Assadit ka arritur të rimarrë shumicën e territorit të humbur që rebelët morën në fillim të luftës, që nisi më 2011. Lufta në Siri ka lënë të vrarë mbi 500 mijë persona, miliona të tjerë janë zhvendosur, ndërkaq infrastruktura në këtë shtet ka pësuar dëme të mëdha./REL