Alyaksandr Lukashenka, lideri de fakto i Bjellorusisë, është duke e përgatitur një kurth, thonë kundërshtarët e tij, për ata të cilët ikën jashtë vendit për të shpëtuar nga sundimi i tij shtypës.
Ambasadat bjelloruse nuk do të lëshojnë më e as nuk do t’ua vazhdojnë pasaportat shtetasve të vet që jetojnë jashtë vendit, sipas një dekreti të ri të publikuar nga Lukashenka më 4 shtator. Nëse iu nevojitet një dokument, bjellorusët do të detyrohen të kthehen në atdhe për ta marrë.
Kritikët druhen se forcat e sigurisë së Bjellorusisë do të jenë duke pritur. Besohet se rreth 200.000 – 300.000 bjellorusë e kanë braktisur vendin që nga gushti 2020, kur Lukashenka u emërua president për mandatin e gjashtë pesëvjeçar, pas zgjedhjeve të cilat u dënuan nga shumë si të montuara.
Zgjedhjet e nxitën një valë protestash të cilat u shtypën nga forcat e sigurisë së Lukashenkas. Qindra njerëz u arrestuan, shumë prej tyre u torturuan, dhe disa vdiqën gjatë shtypjes. Liderët opozitarë u arrestuan, shumë prej tyre u burgosën. Të tjerët ikën.
Perëndimi nuk ka pranuar ta njohë Lukashenkan si president të ligjshëm të Bjellorusisë.
Grupi bjellorus për të drejtat e njeriut, Vyasna, thotë se më shumë se 1.500 njerëz po mbahen prapa grilave në Bjellorusi si të burgosur politikë.
Liderja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila iku në Lituani pasi e sfidoi – dhe sipas shumë njerëzve e mposhti – Lukashenkan në zgjedhjet e 2020-ës, i paralajmëroi bjellorusët duke folur për Associated Press më 4 shtator se “edhe nëse pasaportës suaj i skadon afati, ju nuk duhet të ktheheni në atdhe nëse rrezikoheni nga përndjekja”./REL
Artikulli i plotë këtu.