Shtëpia e Bardhë përshëndeti kthimin e pesë amerikanëve me origjinë iraniane që mbaheshin të burgosur nga qeveria e Iranit dhe që u liruan në bazë të një marrëveshjeje për zhbllokimin e 6 miliardë dollarëve të ngrira të Iranit.
Teherani megjithatë është treguar mospërfillës për mënyrat se si do t’i përdorë këto fonde dhe kritikët thonë se marrëveshja ishte një pagesë për të marrë pengje nga një regjim gjithnjë e më autoritar.
Me përqafime, lot, duartrokitje dhe brohoritje u pritën në atdhe amerikanët që mbaheshin në Iran. Ata u bashkuan me familjarët e tyre në bazën ushtarake Fort Belvoir, në Virxhinia, dhe thërritën “Liri!”, duke përshëndetur kështu rezultatin e një marrëveshjeje në kuadrin e së cilës Presidenti Biden ra dakort për zhbllokimin e 6 miliardë dollarëve të ngrira nga fondet e qeverisë së Iranit.
Presidenti Biden bëri një deklaratë ku thuhet se “pesë amerikanë të pafajshëm që ishin burgosur në Iran janë më në fund në atdhe”. Presidenti thotë se ata janë të pafajshëm dhe se akuzat ndaj tyre për spiunazh ishin të sajuara. Lajmi i mirë u mirëprit edhe më gjerë në administratën amerikane.
“Sot, liria e tyre, liria e këtyre amerikanëve, të mbajtur në mënyrë të padrejtë në Iran për kaq kohë, do të thotë se bashkëshortët dhe bashkëshortet, prindër dhe fëmijë, gjyshërit, mund të përqafojnë sërish njëri-tjetrin, mund ta shohin sërish njëri-tjetrin dhe mund të jenë sërish së bashku,” tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Ata mbërritën të hënën në Doha të Katarit në këmbim të zhbllokimit nga Shtetet e Bashkuara të 6 miliardë dollarëve të ngrira nga fitimet e tregtisë së naftës së Iranit, në bankat e Koresë së Jugut.
Kritikët e Teheranit thonë se regjimi mund t’i përdorë këto fonde për të vazhduar represionin dhe për të avancuar ambiciet e tij bërthamore./VOA