Nga dita e sotme drejtuesve të makinave që do të konstatohen me shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe do të ndëshkohen më gjobë, masa administrative do t’ju shkojë me njoftim në telefon.
“Merr zgjidhje ankesa e qytetarëve për gjobat e Policisë Rrugore. Nga sot njoftimin e merrni menjëherë në telefonin tuaj, përmes e-Albania” njoftoi ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Por çfarë duhet të bëjnë? Masat e vendosura nga policia rrugore regjistrohen në kohë reale në aplikacionin “E-Gjoba”.
Mjafton që qytetarët të jenë të loguar në portalin E-Albania që ka bërë lidhjen me “E-Gjoba” dhe qytetarët do të informohen me një SMS në kohë reale.
Nëse e paguani gjobën brenda 15 ditëve përfitoni 50% ulje të masës administrative.