Pas publikimit të pamjeve ku dyshohet se një edukatore dhe kuzhinierja e një kopshti në Fushë Kosovë dhunojnë një 3-vjeçar Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim për pezullimin e menjëhershëm nga puna të tri punëtorëve të këtij institucioni parashkollor.
Lajmin e ka bërë të ditur këshilltarja për media në MASHTI, Edona Kutleshi-Maliqaj.
“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrëdhënia e punës 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, N.M, SH.I dhe N.H derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”, ka thënë Kutleshi-Maliqaj.
Ajo ka treguar se masa disiplinore janë marrë edhe ndaj drejtoreshës së çerdhes “Gëzimi Ynë”.
“Po ashtu, përmes këtij vendimi, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të arsimit në Kosovë që të merr masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, në Fushë Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, u shpreh Kutleshi-Maliqaj.
Prokuroria ka bërë të ditur se të njëjtat dyshohen për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.