Aktivistët e “Lëvizjes Bashkë” e Arlind Qorrit kanë dalë ditën e sotme në protestë para Parlamentit ku kërkojnë minimumin jetik.
Njëkohësisht po mbahet edhe seanca plenare në Kuvend ndërsa aktivistët janë grumbulluar duke bërë thirrje se minimumi jetik është një urgjencë për popullin shqiptar për t’i nxjerrë nga varfëria.
“Minimumi jetik është një premtim i vjetër, që nga viti 1993 e kanë premtuar te gjithë partitë dhe të gjitha qeveritë. Nuk dinë të bëjnë pune tjetër vetëm te zhvatin paratë e shqiptareve.
Në këto 30 vite këta njerëz janë bërë miliarderë, janë bërë me prona, madje disa prej tyre janë bërë edhe investitorë strategjikë.
Po grabisin toka dhe para publike. Është e turpshme. Minimumi jetik, është urgjencë për ta nxjerrë popullin shqiptar nga varfëria,” u shpreh një nga aktivistët.
Në protestë janë ngritur edhe parulla ku ka shkrime të ndryshme ndër të cila vihen re. “Taksoni oligarkët jo qytetarët”, “Më i lartë tensioni se pensioni” etj.