Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte sot në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ku me një ceremoni shtetërore u varros polici i rënë në krye të detyrës, Afrim Bunjaku.
Para të pranishmëve Kurti tha se rënia në detyrë e Bunjakut është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri, për drejtësi e të drejta, për çdo qytetar të Kosovës.
Kurti tha se heroizmin e të ndjerit e vazhduan sërish me profesionalizëm dhe vetëmohim kolegët e tij, që u përballën me grupet e armatosura kriminale e terroriste në veri të Kosovës.
Ai shtoi se dhënia e jetës për popullin dhe tokën që të ka lindur dhe rritur është vepra më sublime që mund të bëjë një njeri.
“Se dëshmori është grada më e lartë pas të cilës asgjë dhe askush nuk mund ta degradoj atë dhe se pjesëmarrja në varrim është obligimi ynë i fundit për jetën e tij, kurse nderimi i veprës dhe vazhdimi i idealeve të saj është obligimi i përjetshëm i ne të gjallëve për dëshmorët,” tha Kurti në ceremoninë mortore.