Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, dy ditë pas përleshjeve të armatosura me një grup personash, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues të dyshuar.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se ky fshat do të vazhdojë të jetë i bllokuar deri të paktën në orën 09:00 të 27 shtatorit, kur pritet që autoritetet të vendosin se si do të veprojnë në vazhdim.
Ai tregoi se aksioni i bastisjeve ka përfunduar në orët e pasdites të ditës së martë, duke mos dhënë më shumë detaje.
Qasja në këtë fshat – përveç për banorët e tij – ka qenë e bllokuar pasi një grup i maskuar dhe i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator.
Grupi, që fillimisht sulmoi Policinë e cila që po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në manastirin e Banjskës prej ku vazhdoi sulmet ndaj Policisë.
Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, autoritetet e rendit bënë të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.
Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021./REL