Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është takuar paraditen e sotme me presidenten Vjosa Osmani dhe shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se ka shprehur domosdoshmërinë e unitetit në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia, si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.
“Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm.
Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.
Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren. Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë. Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë” shkruan ai.