Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar së fundmi një intervistë me agjencinë e lajmeve “Reuters” në lidhje me zhvillimet e fundit në veri pas sulmeve të së dielës.
Gjatë intervistës Osmani ka akuzuar Serbinë dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç se janë pas sulmit të zhvilluar në veri
“Kosova është nën sulm. Grupi (i armatosur) thjesht ushtroi synimet dhe motivet e Serbisë si shtet dhe Vuçiçit si udhëheqës,” tha Osmani për Reuters.
Serbia dhe Vuçiç i kanë mohuar akuzat për përfshirje ndërsa asnjë grup nuk ka dalë të marrë përgjegjësinë për sulmin apo të shpjegojë motivet e personave të armatosur.
Osmani tha se Serbia ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe po vepron për të përmbushur një “model të Krimesë” duke krijuar tensione në veri të Kosovës.
“Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiç është ndaloni ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim”, tha Osmani.
“Ata po përpiqen të kryejnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë… [ne] do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës,” shtoi ajo.
Osmani gjithashtu u shpreh se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojnë si më parë.
Si dhe shprehu shqetësimin për sulme të ngjashme të cilat mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga ndërkombëtaret që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.
“Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje” u shpreh Osmani.