Ushtari amerikan që fut në mënyrë të paligjshme në territorin e Koresë së Veriut në muajin korrik, u kthye të enjten herët në mëngjes në Shtetet e Bashkuara, sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes. Ai tha se Travis King kishte mbërritur në qytetin San Antonio të Teksasit.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve të mërkurën se zoti King ishte futur në territorin kinez prej Koresë së Veriut, falë ndihmës së qeverisë suedeze.
Ai shtoi se autoritetet amerikane e kishin pritur ushtarin në Kinë dhe prej andej ai ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara.
“Falenderojmë qeverinë e Suedisë për rolin diplomatik duke shërbyer si fuqi mbrojtëse për Shtetet e Bashkuara në Korenë e Veriut si dhe qeverinë e Republikës Popullore të Kinës për ndihmën e saj në lehtësimin e kalimit tranzit të ushtarit King,” tha Sullivan gjatë një deklaratë të mërkurën.
Sekretari i shtypit i Pentagonit Gjeneral Brigade Pat Ryder vlerësoi “punën e palodhur të personelit ushtarak, trupave të Shteteve të Bashkuara në Korenë e Jugut si dhe në të gjithë Departamentin e Mbrojtjes për të sjellë ushtarin Travis King në atdhe”.
Gjatë një konference për gazetarët të mërkurën një zyrtar i lartë i administratës i tha Zërit të Amerikës se Uashingtoni nuk i ka bërë asnjë lëshim Koresë së Veriut me qëllimin për të lënë të lirë ushtarin King.
“Ne do të përqendrohemi javët e ardhshme, për aq kohë sa duhet, që ushtari të jetë në gjendje të mirë shëndetësore e më pas do të trajtojmë çdo veprim administrativ që mund të pasojë pas procesit të ri-integrimit të tij,” tha zyrtari amerikan./VOA
Artikulli i plotë këtu.