-sidi education-spot_img
21.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Miratohet vendimi për rritjen me 8.6% të pensioneve, ja kategoritë përfituese

Kryesoret

Ka kaluar në mbledhjen e djeshme të qeverisë propozimi i Financave për indeksimin e pensioneve të të gjitha kategorive, në masën 8,6 për qind. Vendimi nis zbatimin në 1 tetor.

Në një intervistë dhënë në media, numër 2 i Ekonomisë dhe Financave, Olta Manjani, ka sqaruar detajet e vendimit. Në qeveri u firmos edhe vendimi për bonusin e premtuar prej 5 mijë lekësh në fund të vitit.

Gjatë vitit të kaluar janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%, me efekt financiar 5.4 miliardë lekë. Vit pas viti këto shpenzime rriten më tej, për shkak të efektit mbetës për vitin pasardhës. Pasi kjo është një e drejtë e fituar dhe e garantuar për çdo qytetar që trajtohet nga skema. Si dhe për ata që në të ardhmen do të përfshihen në të.

Krahas këtyre rritjeve, Qeveria, ka dhënë edhe bonuset, si ai i fund vitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të garantojë përmes bashkëpunimit me Postën Shqiptare sh.a. dhe bankat tregtare zbatimin e plotë të këtij vendimi për të gjithë individët përfitues.

VENDIMI

“Sot (dje), Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë ka miratuar një propozim të rëndësishëm si rritja e pensioneve. Ky është një vendim që vjen në kuadër të politikave vijuese që ka ndërmarrë qeveria për të garantuar një mbrojtje sociale sa më të mirë për shtresat më në nevojë me qëllim reduktimin e efekteve inflacioniste.

Ky vendim parashikon indeksimin në masën 8.6% të të gjitha pensioneve: të pleqërisë, të pjesshme, suplementare ku janë mbi 767 mijë pensionistë përfitues. Kjo politikë është ndjekur vazhdimisht në vite. Çdo vit bëhet indeksimi i pensioneve për të përballuar rritjen e çmimeve bazuar në indeksin e çmimeve të konsumit, i cili publikohet nga Instituti i Statistikave”, deklaroi zëvendësministrja duke sqaruar më tej mënyrën se si është marrë vendimi për indeksim në masën e përmendur.

“Ky është një indeksim që merr për bazë rritjen e çmimeve gjatë kësaj periudhe, për të përballuar ngarkesën e shtuar në shpenzimet e pensionistëve në shpenzimet që bëjnë për produktet kryesore siç janë ushqimet, ilaçet e të tjera. Vendimi nis zbatimin nga data 1 tetor dhe efekti është për vitin 2024 është 12 miliardë lekë. Pra, shpenzime të konsiderueshme në buxhetin e shtetit për këtë shtresë në nevojë”.

Indeksimi i pensioneve, shton zëvendësministrja, përpos rritjes së menjëhershme është diçka pozitive për përfituesit. Pasi në të njëjtën kohë rrit edhe bazën e pensionit. Kjo nënkupton se vendimi ka edhe një efekt bartës.

“Ndryshe nga herët e kaluara ku janë ndërmarrë masa dhe janë dhënë paketa në kuadër të mbrojtjes sociale. Indeksimi i pensioneve është një rritje që bartet edhe në vitet e tjera. Dhe kur të vijë momenti i indeksimit të pensioneve vitin e ardhshme, rritja tjetër do të bëhet mbi këtë rritje ekzistuese”.

FORMULA E LLOGARITJES

Ku ndryshon indeksi i konsumit të shportës së përgjithshme për gjithë popullsinë dhe pensionistët?! Për të matur shkallën e inflacionit, pensionistët kanë një shportë të caktuar. Ku kanë një peshë më të lartë ushqimet dhe ilaçet, duke reflektuar konsumin kryesor të tyre.

Dhe nga matjet, ky inflacion rezulton të jetë më i lartë se sa ai për popullsinë. Për popullsinë është përllogaritur në masën 7 për qind, ndërsa për pensionistët është 8.6 për qind. Më herët, qeveria ka mbështetur pensionistët me paketa sociale si bonus, jo në bazë indeksimi.

Indeksimi, sipas Manjanit, është i dedikuar, pasi siguron një rritje të pensionit dhe ka afekt edhe në vitet e ardhshme.

“Pra, rritet baza e pensionit. Me indeksimin e pensionit, rritja me indeksin e çmimeve të konsumit në 2024 do të bëhet mbi një bazë më të lartë. Vetë shpenzimet në buxhetin e shtetit për indeksimin e pensioneve që kanë ardhur në rritje vazhdimisht e dëshmojnë këtë. Vetëm për 3 mujorin e fundit të këtij viti efekti në buxhet do të jetë 3.1 miliardë lekë. Duke vijuar me këtë formulë, atë të rritjes së bazës. Dhe vitin tjetër mbi një bazë më të lartë, efekti do të jetë më i lartë. Do të mobilizohen më shumë fonde në buxhetin e shtetit për rritjen e pensioneve”, nënvizoi zëvendësministrja.

Përfitues direkt nuk janë vetëm mosha e tretë. Por të gjithë ata qytetarë që trajtohen me pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara. Po ashtu ato të invaliditetit, pensionet në qytet në fshat. Pensionet suplementare që përfshijnë disa përfitues siç janë minatorët, naftëtarët, ushtarakët e të tjerë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit