Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Serbisë që t’i tërheqë trupat rrotull kufirit me Kosovën.
Osmani u shpreh se mirëpret deklaratën e administratës Biden që Serbia t’i tërheqë forcat nga kufiri.
Ajo gjithashtu bëri thirrje që Serbia të mbajë përgjegjësi për ata që planifikuan dhe kryen sulmin kundër Policisë së Kosovës.
“Armët e fshehura në veri të Kosovës paraqesin rrezik të konsiderueshëm si për Policinë e Kosovës ashtu edhe për trupat e NATO-s në Kosovë.
ShBA-ja po punon me aleatët e NATO-s për të adresuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën dhe për të minuar sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”, tha Osmani.
Presidentja u shpreh se Kosova mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me ShBa-në dhe aleatët e tjerë të NATO-s për të adresuar sfidat e sigurisë.