Ministri rus i Edukimit, Sergei Kravtsov, e ka pranuar gjatë një vizite në rajonin Karaçai-Çerekesia këtë muaj se do të rishqyrtohet një kapitull i librit shkollor të historisë, i cili ka nxitur reagime të ashpra në Kaukazin Verior, ka thënë udhëheqësi i rajonit Rashid Temrezov në një postim në Telegram, më 23 shtator.
Bashkë-autor i librit të ri të historisë për shkollat e mesme është Vladimir Medinsky, ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka shërbyer si ministër i Kulturës në periudhën 2012-20, dhe është kritikuar për imitim të praktikave sovjetike të indoktrinimit ideologjik.
Në mesin e gjërave tjera, në këtë libër minimizohen dëbimet brutale të diktatorit sovjetik Josep Stalin ndaj shumë minoriteteve etnike përfshirë çeçenët, karaçait, ingushët, balkarët, kalmikët, mesketianët, krimeo-tatarët si ndëshkim kolektiv për dyshimet se ato kanë bashkëpunuar me pushtuesit nazistë gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rezultati ka qenë një katastrofë demografike, pasi janë vrarë qindra mijëra njerëz dhe është shkaktuar një traumë historike.
Akuzat për bashkëpunime të mundshme janë tërhequr zyrtarisht dhe dëbimet janë dënuar me Ligjin sovjetik të vitit 1991 për Rehabilitimin e Personave të Shtypur.
Më 2014, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka nënshkruar një dekret për “rehabilitim të plotë për kombet e shtypura”.
Megjithatë, në një paragraf të vetëm të librit shkollor, përsëriten akuzat e Stalinit për tradhti, duke thënë se dëbimet janë kryer “bazuar në rastet e bashkëpunimit me pushtuesit”.
Si rezultat i ndëshkimit kolektiv, “nuk janë shtypur vetëm banditët dhe bashkëpunëtorët, por edhe njerëzit e pafajshëm,” përmendet në libër.
“Të dëbuarit janë përballur me shumë fatkeqësi. Drejtësia është vënë në vend vetëm pas [vdekjes së Stalinit] më 1953”.
Në tekstin shkollor, më pas, krahasohen dëbimet me internimin e amerikano-japonezëve gjatë kohës së luftës./REL